Publikime

Njoftim për media

Publikuar nga

TIA në 02 Dhjetor 2016

Shpërndaje

Ndani këtë informacion.

Njoftim nga Tirana International Airport  

 

Tirana International Airport (TIA) duke vlerësuar transparencën e informacionit për publikun dhe ndjeshmërinë e çështjes së sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, dëshiron të informojë se ka vënë në dispozicion të organeve kompetente, të gjitha materialet dhe regjistrimet e kamerave të sigurisë që hedhin dritë mbi ngjarjen e 30 qershorit 2016, shumë të rëndë për të gjithë ne.

 

Në respekt të hetimeve, në respekt të imazhit të Shqipërisë, në respekt të çdo qytetari, dhe sidomos në respekt të personave që janë nën hetim, e që gëzojnë prezumimin e pafajësisë, bëjmë thirrje për trajtimin e kujdesshëm të informacioneve që jepen për publikim. Dokumentet që janë bërë publike, janë pjesë e auditimeve periodike që kryhen në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, dhe secila nga këto dokumente ka patur përgjigjen e duhur dhe planin përkatës të veprimit në lidhje me dinamikën e operimeve në TIA. Të gjitha dokumentet dërguar Autoritetit të Aviacionit Civil, u janë vënë në dispozicion pa asnjë hezitim nga TIA, organeve kompetente që po hetojnë ngjarjen e 30 qershorit. Mënjanë kësaj, TIA do të kishte dashur që etika e konfidencialitetit e bazuar me ligj të shkruar dhe të pashkruar, të respektohej nga të gjitha organet shtetërore.

 

Nga ana tjetër, TIA ka ndjekur me shqetësim raportimet zyrtare të Policisë së Shtetit, mbi raportimin - më së paku të pasaktë - të ngjarjes në fjalë. Duam të theksojmë se në zbatim të përgjegjësive dhe detyrimeve të Kontratës së Koncesionit, të Memorandumit të Bashkëpunimit me Policinë Shqiptare, i datës 06/09/2012 me referencë Nr.4613/2, dhe në bazë të Programit Kombëtar të Sigurisë të Aviacionit Civil, TIA ka zbatuar me korrektësi të plotë procedurën e njoftimit në kohë të policisë.

 

Theksojmë, se njoftimi i TIA-s për policinë, është bërë në kohën kur makina bashkë me autorët e krimit ishte ende në vendngjarje. Autoriteteve të hetimit u janë dorëzuar të gjitha dokumentet që provojnë, se ky njoftim është kryer nga Menaxheri i Operimit në Detyrë i TIA-s kundrejt sallës operative të policisë në Rinas. Përveç kësaj, theksojmë se punonjësit e policisë kanë qënë prezent në pistë vetëm pak metra nga ku ndodhi grabitja. Këtë e vlerësojmë si saktësi të domosdoshme informacioni.

 

Për qartësinë e publikut, por edhe të autoriteteve shtetërore të përfshira, dëshirojmë të sjellim në vëmendje se kompania ICTS – është përgjegjëse vetëm për shërbimin e sigurisë aeroportuale, shërbim i cili as nuk e zëvendëson dhe as nuk e zvogëlon detyrën dhe përgjegjësinë e policisë së shtetit.

 

ICTS, si kompani ndërkombëtare për ofrimin e sigurisë në aeroporte, si dhe e çertifikuar prej shumë vitesh në mënyrë të vazhdueshme nga Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar, nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë fizikisht. ICTS operon e paarmatosur. E vetmja forcë e armatosur në aeroport është Policia e Shtetit.

 

Për sa i takon ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në territorin jashtë gardhit rrethues të aeroportit - nga ku ka hyrë makina - kjo është përgjegjësi e plotë dhe e vetme e forcave të policisë së shtetit. Sipas ligjit, Policia e Shtetit duhet të sigurojë patrulla me të gjitha mjetet, përfshirë ato këmbësore, në të gjitha zonat e aeroportit, duke parandaluar çdo incident dhe aktivitet të paligjshëm.   

 

TIA është tërësisht në dispozicion të autoriteve që po hetojnë ngjarjen, e gatshme që të ndihmojë në zbardhjen e saj, me prova materiale, por dhe dëshirën unanime në zbulimin e fajtorëve.  

 

Më tej, dëshirojmë të sjellim në vëmendje që siguria kombëtare është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha autoriteteve që kanë detyrën e sigurisë në aeroport dhe janë prezente në zonën e aeroportit. Në këtë incident të rëndë, në rast se qëllimi është shfajësimi, pasojat do të jenë shumë më të rënda se grabitja. Aeroporti është i të gjithëve.  

 

Nuk është në mendësinë e kompanisë të bëjë gara me deklarata apo të kundërshtojë institucionet që TIA i konsideron të shenjta. Jemi të detyruar të flasim tani – duke përligjur respektin për hetimet – por duke vënë re me shqetësim se po cënohet një kompani që është në shërbim të pasagjerëve, biznesit dhe shtetit shqiptar.

 

Tirana International Airport shpreh keqardhjen e thellë për ngjarjen që tronditi opinonin publik dhe jetën e qindra punonjësve të saj që punojnë me përkushtim, prej më shumë se një dekade, duke vlerësuar se në këto rrethana, fjalët janë të pakta dhe shqetësimi është shumë i madh.

Tirana International Airport është pranë punonjësve të saj në këtë moment të vështirë dhe sidomos pranë Z. Vangjel Nikolla, Drejtor i Shërbimeve Aeroportuale të TIA-s, i mirënjohur në fushën e aviacionit për kontributin, profesionalizmin dhe integritetin tejet të lartë njerëzor.

 

Tirana International Airport dëshiron të sigurojë pasagjerët dhe të gjithë partnerët e tjerë, se masat e sigurisë aeroportuale në TIA janë në nivelet e kërkuara të standardeve ndërkombëtare, gjë që është dëshmuar edhe nga organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e aviacionit.

 

Shprehim besimin se autoritetet përkatëse dhe media do ta vlerësojnë maksimalisht korrektësinë e informacionit, dhe rëndësinë që ka saktësia e tij tek çdo qytetar i Shqipërisë.

 

Publikuar nga

TIA në 02 Dhjetor 2016

Shpërndaje

Ndani këtë informacion.

Fluturoni me mendje të qetë

Shijoni fluturimin tuaj dhe zbuloni ofertat dhe promocionet më të fundit nga partnerët tanë.

Rent Point Albania

Super çmime për makina me qera! Shijoni udhëtimin tuaj në maksimum.

Mësoni më shumë

Air Albania

Ne ju sjellim më afër destinacioneve më të dashura të Evropës.

Mësoni më shumë

Regjistrohu në buletinin tonë

Ofertat e zgjedhura për pushime, frymëzimin dhe këshillat më të fundit të udhëtimit, direkt në kutinë tuaj hyrëse.