Publikime

Drejtori i Aeroportit të Tiranës shpreh nevojën për të vepruar me shpejtësi dhe me guxim

Publikuar nga

TIA në 14 Qershor 2020

Shpërndaje

Ndani këtë informacion.

Në më të fundit prej artikujve të “International Airport Review” mbi drejtorët e përgjithshëm, Dr. Constantin von Alvensleben, Drejtor i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, jep një këndvështrim pozitiv mbi krizën e tanishme, me besimin e fortë se sektori i aviacionit mund ta rimarrë veten me sukses.

Si e keni filluar karrierën në sektorin e aviacionit?

Paksa rastësisht. Në vitin 1992, pas diplomimit në shkencat juridike në Gjermani, fillova punë në një studio ligjore ndërkombëtare, “Wilmer, Cutler”, në zyrën e saj në Londër, për t’u marrë me çështje të shoqërive ajrore si edhe me çështje të zhvillimit të aeroporteve. Kam kaluar katër vite shumë interesante pranë kësaj studioje, si fillim në Londër, ku jam përqendruar në veprime shitblerjeje, dhe pastaj në zyrën në Bruksel, ku jam përqendruar në çështje të së drejtës së Bashkimit Europian (BE) të lidhura me fushën e aviacionit. Gjatë kësaj kohe kam mësuar shumë për kuadrin rregullator të aviacionit civil.

Në vitin 1996, kam kaluar në një grup gjerman ndërtimi, “Hochtief”, për të punuar në degën e aeroporteve, të njohur me emrin “Hochtief AirPort”. “Hochtief AirPort” sapo kishte fituar të drejtën e koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës (ATH) dhe më pas kam marrë pjesë në të gjitha projektet e shoqërisë “Hochtief” në lidhje me aeroportet, përfshirë aeroporte të tilla si Dyseldorfi, Hamburgu, Sidneji, Tirana dhe Budapesti. Kam punuar 16 vjet pranë shoqërisë “Hochtief”, periudhë e cila më ka falur përvojën e gjerë që më nevojitet për të punuar në sektorin e aviacionit.

Pranë kësaj shoqërie, jam emëruar për herë të parë si drejtor i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) në 2006-2007. çka do të thotë se kam qenë i pranishëm në ndërtimin dhe vënien në punë të terminalit të ri, një prej periudhave më të rëndësishme të karrierës sime.

 

çfarë ju pëlqen më shumë te puna si drejtor aeroporti? Nga ana tjetër, cili është aspekti më i vështirë?

Si drejtor aeroporti, ke përgjegjësinë e përgjithshme për gjithçka, prandaj përballesh me vështirësi të shumta. Këtyre mund t’ua dalësh mbanë vetëm me mbështetje të mjaftueshme dhe të aftë. Prandaj, komponenti i burimeve njerëzore është tejet i rëndësishëm, por po kaq e rëndësishme është nevoja për të pasur kolegë drejtues të mirë dhe një bashkëpunim të ngushtë me këshillin e administrimit të shoqërisë së aeroportit.

Duhet të njohësh mirë dhe të veprosh me përgjegjësi edhe për vendin të cilit i shërben, sepse, tekefundit, i shërben një shteti, administron një infrastrukturë publike. Aeroporti duhet të përmbushë funksionet e veta, të funksionojë me korrektesë dhe të trajtojë në mënyrë të barabartë e të drejtë të gjithë përdoruesit e tij. Nëse më pyesni mua, se cili është parimi më i rëndësishëm i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ONAC), do të thosha: “trajtim i drejtë e i barabartë për të gjithë”.

A mund të na jepni një informacion të përgjithshëm për tri zhvillimet më interesante që po ndodhin tani në aeroportin tuaj?

Do t’ia nisja nga problemi më i ngutshëm: nevoja për të rifilluar sa më shpejt aktivitetin e fluturimeve, një aktivitet ky i pezulluar përkohësisht nga masat e mbylljes për shkak të COVID-19 në mars 2020. Ndodhemi në nivelin 2 për qind të trafikut të zakonshëm dhe thuajse nuk po arkëtojmë asnjë të ardhur. Hë për hë, është luftë për ekzistencë. Por ka shpresa, sepse shërbimet e para të transportit të rregullt të udhëtarëve janë programuar të fillojnë më 15 qershor 2020. Besoj se pas kësaj date do të kemi një rritje të trafikut, megjithëse do të duhet kohë për t’iu rikthyer niveleve të mëparshme. Në vitin 2019 kishim 3,33 milionë udhëtarë. Tani për tani, mendoj se këtë nivel do ta arrijmë përsëri nga viti 2022/2023.

Disa zhvillime të mëtejshme në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës janë rinovimi i pjesëve të rëndësishme të sistemit të rrugëve lidhëse në anën e aerodromit, si edhe i vetë pistës. Këto do të bëhen gjatë vitit 2020 dhe 2021.

E fundit, kemi ritenderuar koncesionet e njësive tregtare: pikat e bar-restoranteve dhe pikat e shitjes me pakicë. Edhe pse kemi marrë oferta të mira, masat e ndalimit të qarkullimit dhe niveli i ulët i trafikut të pritur në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020 i bën më të vështira këto kohë bisedimet me qiramarrësit e rinj.

Në këtë moment, çfarë konsideroni si pengesën më të madhe për sektorin e aviacionit?

Mendoj se është ankthi dhe frika që kanë shumë aktorë pas goditjes nga COVID-19. Udhëtarët mund të kenë më pak dëshirë të udhëtojnë, edhe pas heqjes së ndalimit të fluturimeve, sepse mund të kenë merak për shëndetin apo për kufizime të pakëndshme. Shoqëritë ajrore mund të duan të ulin riskun, duke e rritur ngadalë kapacitetin në treg. Për mendimin tim, të gjitha këto bëjnë keq e jo mirë. Në momentin e heqjes së ndalimit të fluturimeve, do të ketë rishpërndarje të segmenteve të tregut. Kam bindjen se pjesën më të madhe të tregut ka për ta marrë më i shpejti e më i guximshmi. Besoj se rendi i vjetër i shoqërive ajrore mund të ndryshojë plotësisht në varësi të shpejtësisë apo të ngadalësisë me të cilën do të veprojnë tani aktorët e ndryshëm. Ndjekja e këtyre zhvillimeve do të jetë shumë interesante!

Sipas mendimit tuaj, sa duhet të përshtatet sektori i aviacionit, për të siguruar një vend në të ardhmen?

Për të ardhmen e parashikueshme, të gjithë aktorët (shoqëritë ajrore, aeroportet dhe udhëtarët) do të duhet të ndjekin me korrektesë protokollet e rrepta shëndetësore sepse jeta dhe shëndeti janë të pazëvendësueshme dhe nuk mund të komprometohen. Vë re se Agjencia Europiane e Sigurisë Ajrore (AESA), Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI) për Europën dhe autoritetet kombëtare, si autoritetet shqiptare, po punojnë së bashku nga afër dhe në mënyrë konstruktive dhe aktorët e këtij aktiviteti (aeroportet, shoqëritë ajrore dhe udhëtarët) janë duke i ndjekur mirë rregullat e kërkuara.

Megjithatë, këto masa kanë çuar në probleme të kapacitetit sepse rregullat për mbajtjen e distancës fizike kërkojnë më shumë hapësirë në terminal. Me rritjen e trafikut, aeroportet do të duhet ta administrojnë me shumë efikasitet hapësirën në terminale.

Sidoqoftë, nuk më shqetëson vendi që do të zërë aviacioni në botën ku jetojmë. Jam më se i bindur se kemi forcën, aftësinë dhe guximin për t’iu përshtatur këtij problemi shëndetësor, por edhe sfidave të tjera siç është objektivi i uljes së sasisë së gazit karbonik të çliruar. Kërkesa për këtë shërbim ekziston dhe do të rritet edhe më tej. Na takon neve të jemi të përgatitur për ta përmbushur këtë kërkesë.

Si ju duket e ardhmja e sektorit të aviacionit?

Më duket e shkëlqyer! Do t’i arrijmë e do t’i tejkalojmë nivelet e mëparshme. Do të ketë jetë edhe pas COVID-19. Në veçanti, pasi të kemi gjetur mjekimin e duhur për COVID-19 dhe, sidomos, pasi të kemi gjetur një vaksinë.

 

 

Publikuar nga

TIA në 14 Qershor 2020

Shpërndaje

Ndani këtë informacion.

Fluturoni me mendje të qetë

Shijoni fluturimin tuaj dhe zbuloni ofertat dhe promocionet më të fundit nga partnerët tanë.

Rent Point Albania

Super çmime për makina me qera! Shijoni udhëtimin tuaj në maksimum.

Mësoni më shumë

Air Albania

Ne ju sjellim më afër destinacioneve më të dashura të Evropës.

Mësoni më shumë

Regjistrohu në buletinin tonë

Ofertat e zgjedhura për pushime, frymëzimin dhe këshillat më të fundit të udhëtimit, direkt në kutinë tuaj hyrëse.