FLUTURIMET

  • 03:15Sabiha Gokcen Intl. - PC 284
  • 04:05Belgrade / Beograd - JU 217
  • 04:25Vienna / Vjene - OS 850
  • 06:00Milan Malpensa - W6 6607
  • 06:05Pisa / Piza - W6 3853

Home > Kompania > Njoftime për shtyp

Qeveria e Shqipërisë dhe Tirana International Airport nënshkruajnë marrëveshjen për liberalizimin e fluturimeve ndërkombëtare

01.01.1970
• Afati i Koncensionit për Tirana International Airport shtyhet me dy vite
• Aeroporti i Kukësit hapet për fluturimet ndërkombëtare
• Dritë jeshile për zhvillimin e aeroporteve në Vlorë dhe Sarandë


Më 1 Prill 2016, Qeveria e Shqipërisë dhe Tirana International Airport (TIA) nënshkruan një marrëveshje kyç, e cila shënon një hap të madh drejt zhvillimit të transportit ajror në Shqipëri dhe liberalizimin e fluturimeve ndërkombëtare. Një ceremoni nënshkrimi u zhvillua sot me rastin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme.

Ndryshimi i Marrëveshjes së Koncensionit u arrit pas negociatave intensive mes palëve, e tashmë do të votohet në parlament, për t’i hapur rrugë zhvillimit, ndërtimit dhe operimit të aeroporteve të tjerë në Shqipëri.

Sipas marrëveshjes së përbashkët, kompanisë Tirana International Airport i është dhënë menjëherë një zgjatje e Afatit të Koncensionit prej dy vitesh duke mundësuar kështu hapjen e Aeroportit të Kukësit për fluturimet ndërkombëtare. Kjo do të thotë se Afati i Koncensionit do të shtyhet deri më datë 2027.

Më tej, në rast të vënies në përdorim të një aeroporti tjetër apo aeroporteve të tjera, si Vlora ose Saranda, Afati i Koncensionit do të shtyhet me 0.5 vite të tjera për çdo vit operimi të këtyre aeroporteve jugore, siç thuhet në Ndryshimin e Marrëveshjes së Koncensionit.

Z. Edmond Haxhinasto, Ministër i Transportit dhe Insfrastrukturës u shpreh se, “Ky është një premtim i mbajtur nga Qeveria e Shqipërisë i cili do të mundësojë zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë. Me prezantimin e operatorëve të tjerë aeroportualë, ne synojmë të përfitojmë nga hyrja e shoqërive ajrore low-cost në tregun tonë, si edhe të ftojmë investitorët për të zhvilluar jo vetëm aeroporte në jug të Shqipërisë, por në të njëjtën kohë dhe infrastrukturën e turizmit në vend me resorte e më tej”.

Z. Holger Linkweiler, Kryetar i Këshillit Administrativ të TIA-s u shpreh se, “Kjo është një arritje domethënëse. Ne krenohemi me atë që kanë arritur partnerët në këtë proces të gjatë. Dëshirojmë të falenderojmë Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës si dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për bashkëpunimin e tyre. I urojmë suksese Qeverisë së Shqipërisë në hapat e mëtejshëm drejt zhvillimit të aeroporteve të tjerë në vend. Tirana International Airport është e përkushtuar të vazhdojë t’i sigurojë standardet më të larta të shërbimeve transportit ajror shqiptar”, shtoi ai.

Ndryshimi i Marrëveshjes së Koncensionit u firmos në emër të Qeverisë së Shqipërisë nga Z. Edmond Haxhinasto dhe Znj. Milva Ekonomi, Ministre e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe në emër të TIA-s nga Z. Rolf Castro-Vasquez, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Znj. Suela Keri, Drejtore e Përgjithshme e Financës.

Në vitin 2005, TIA mori në menaxhim Aeroportin e Rinasit kur ai i shërbente rreth 600,000 pasagjerëve në vit. Në vitin 2015, Aeroporti i shërbeu më shumë se 1.9 milionë pasagjerëve, duke shënuar një rritje domethënëse dhe duke ndryshuar imazhin e Shqipërisë si portë hyrëse moderne dhe me standardet më të larta europiane.

Bazuar në Marrëveshjen e Koncensionit të nënshkruar në vitin 2004 me Qeverinë e Shqipërisë, Afati i Koncensionit prej 20 vitesh për menaxhimin e Aeroportit Ndërkombëtar filloi në vitin 2005, duke përfshirë të drejtën e ekskluzivitetit mbi fluturimet ndërkombëtare.

TIA ka qenë dhe mbetet gjithmonë e vendosur për të kontribuar për një mjedis më të mirë biznesi, ekonomi më të mirë në Shqipëri dhe zhvillim social. Që në momentin e fillimit të operimeve si kompani administruese, TIA vendosi standarde të reja në transportin ajror në vend, rriti cilësinë e shërbimeve dhe numrin e përdoruesve të aeroportit.