FLUTURIMET

  • 19:10Rome Fiumicino - AZ 585
  • 19:10Kiev Borispol - PQ 502
  • 20:00Brussels - TB 2952
  • 03:30Sabiha Gokcen Intl. - PC 284
  • 04:25Vienna / Vjene - OS 850

Home > Kompania > Njoftime për shtyp

Aero Telegraph: Intervistë me Dr Constantin von Alvensleben, CEO

Aeroporti i Tiranës ia doli mjaft mirë krahasuar me konkurrentët e tij gjatë vitit që shkoi, me një rënie të numrit të pasagjerëve prej vetëm 60 përqind. Kujt ia atribuoni humbjet e vogla në numrin e pasagjerëve gjatë krizës së shkaktuar nga Covid-19?

Viti 2020 ishte një nga vitet më të vështira që jemi përballur ndonjëherë, por në retrospektivë mendoj se mund ta themi se e menaxhuam relativisht mirë së bashku me partnerët tanë, në veçanti me linjat ajrore që operojnë tek ne. Pas 3,3 milion pasagjerëve që patëm në vitin 2019, trafiku ynë në vitin 2020 u zvogëlua me 60% dhe kështu përfunduam me 1,3 milion pasagjerë. Po i njëjti numër pasagjerësh të shërbyer nga TIA në vitin 2009, por TIA bëri çmos që të përballonte këto humbje të trafikut dhe të të ardhurave nëpërmjet pasagjerëve që udhëtojnë për arsye familjare drejt Italisë, që është edhe destinacioni ynë kryesor më i frekuentuar, si dhe në të njëjtën kohë të prezantonte masa higjienike të projektuara për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

 

Cila ishte periudha më e vështirë për ju?

Koha më e vështirë ka qenë periudha midis datës 12 Mars dhe 15 Qershor, kur të gjitha fluturimet tregtare u ndaluan në TIA dhe operoheshin vetëm fluturime riatdhesimi, humanitare, ambulanca dhe kargo. Më pas, gjatë muajve të verës pati një farë lehtësimi pasi fluturimet tona të programuara u plotësuan nga trafiku i avionëve charter dhe trafiku i fluturimeve për qëllime pushimi, dhe shtimi i trafikut gjatë muajve Korrik dhe Shtator solli sërish një frym[ optimizmi. Gjatë gjithë vitit vazhduam të ishim porta e Shqipërisë dhe vazhduam shërbimin tonë të mirë. Për muajt e ardhshëm trafiku do të mbetet i frenuar për sa kohë që shqiptarët përballen me ndalimin e udhëtimit nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

 

Çfarë duhet për një rimëkëmbje?

Shpresojmë të kemi më shumë sukses në këtë fushë, por procesi i rimëkëmbjes sigurisht që kërkon progres në vaksinimin e shqiptarëve. Parashikimi im është që ndalimi aktual i udhëtimeve nga shtetet anëtare të BE-së për shqiptarët do të hiqet vetëm pasi Shqipëria të ketë arritur një progres të ndjeshëm në procesin e vaksinimit. Krahas kësaj, një pasaportë dixhitale vaksinimi, siç diskutohet aktualisht në BE dhe nga Qeveria e Shqipërisë, mund të ndihmojë në lehtësimin e kufizimeve të udhëtimit.

 

Në të gjithë Europën, aeroportet pësuan humbje financiare gjatë vitin që lamë pas, po ju sa humbje prisni?

Siç edhe u përmend, ne pësuam pak a shumë të njëjtën humbje të të ardhurave sa edhe të trafikut, pra minus 60%. Duke qenë se shumë kosto në një aeroport janë kosto fikse, menaxhimi duhet të jetë i shpejtë dhe inovativ për të shmangur një mungesë likuiditeti. Kjo funksionoi relativisht mirë, por kostoja e kësaj ishte reduktimi i numrit të fuqisë sonë punëtore dhe një programi pune me orar të reduktuar. Natyrisht, edhe kostoja e mirëmbajtjes u reduktua në masën më të madhe të mundshme dhe shpenzimet e ndërtimit dhe prokurimit u ulën. Pavarësisht të gjitha këtyre masave, operimet e sigurta mbetën prioriteti ynë absolut, ndërsa në të njëjtën kohë kemi pasur një komunikim intensiv me pasagjerët tanë dhe publikun shqiptar përmes mediave sociale, faqes së internetit, shtypit dhe kanaleve televizive shqiptare.

 

Pak para fillimit të këtij viti pati një ndryshim të pronësisë. Pronari shqiptar Kastrati Group mori koncesionin e operimit nga ish-pronari kinez për 70 milionë euro. Pse ndodhi ndryshimi i pronësisë?

Duke filluar nga muaji Dhjetor, TIA ka një pronar të ri të vetëm, Kastrati Group Sha. Ky grup është me shumë përvojë në një sërë fushash të infrastrukturës dhe mbi të gjitha Kastrati Group është një korporatë shqiptare me përvojë, dhe Menaxhimi i TIA-s ka pasur një mbështetje mjaft të madhe nga aksioneri ynë i ri. Unë mendoj se aksioneri i ri ka një plan të detajuar dhe ambicioz investimesh, i cili do të ketë një ndikim jashtëzakonisht pozitiv në të gjitha aspektet. Plani i investimeve parashikon zgjerimin e kapacitetit të aeroportit dhe terminalit, zgjerimin e pistës, përmirësimin e plotë të infrastrukturës së aeroportit dhe përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve. Me një rritje të konsiderueshme të investimeve, e cila do të zgjerojë dhe përmirësojë infrastrukturën dhe cilësinë e shërbimeve. Zgjatja e Projektit të Koncesionit sapo është miratuar nga parlamenti deri në vitin 2040 dhe kjo periudhë do të jetë një potencial i madh për shndërrimin e aeroportit në një infrastrukturë të rëndësishme dhe për të ofruar fluturime direkte drejt të gjitha kryeqyteteve dhe qyteteve kryesore politike dhe ekonomike të Europës.

 

Pse ish-pronari kinez ia shiti pjesën e saj Kastratit?

Sa i përket ish pronarit kinez mund të them se ata kanë qenë të përfshirë intensivisht dhe kanë mbështetur TIA në çdo aspekt. Për arsyet e shitjes nuk kam asnje koment.

 

Programi juaj i zgjerimit ka filluar që në 2019, cilat janë projektet e ardhshme të investimeve në axhendë? 

Në fushën e zhvillimit të ndërtimeve dhe investimeve, TIA do të vazhdojë projektet e saj të cilat kanë filluar në 2019, veçanërisht në lidhje me punimet në fushën ajrore për të siguruar facilitete nga më modernet. Ne kemi mbështetjen e plotë të aksionerit tonë të ri për këto projekte.

Si pjesë e ndryshimeve në Marrëveshjen e Koncesionit, TIA ka njoftuar se një paketë e plotë investimesh me vlerë rreth 100 milion euro do të jetë në fokusin e menaxhimit, të cilat kanë në fokus zgjerimin e kapaciteteve akomoduese të aeroportit në 6 milionë pasagjerë në vit, zgjatimin e pistës, përmirësimin e plotë të infrastrukturës së aeroportit dhe përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve.

 

A do të çojë kjo në ndryshime më të larta për kompanitë ajrore?

Bashkë me uljen e tarifës së pasagjerit, pjesë e paketës së ndryshimeve të Marrëveshjes së Koncesionit është edhe liberalizimi i Ground Handling Services (Shërbimet në Tokë) dhe liberalizimi i tregut të karburantit të avionëve që do të sjellë kosto më të ulët në çmimin e këtij karburanti. Të gjitha këto ndryshime të rëndësishme do të kenë efekt të menjëhershëm në tërheqjen e linjave të tjera “low cost”, dhe rrjedhimisht do të kenë efekt në uljen e çmimit të biletës që paguajnë udhëtarët e TIA-s. Më tej, me lehtësimin e kushteve të udhëtimit pas pandemisë, këto vendime do të ndikojnë në rritjen e numrit të fluturimeve dhe destinacioneve.

 

Kastrati Group, si pronari i ri, ka njoftuar se do të ulë koston e tarifës së pasagjerit nga 12.5 Euro në 10 Euro. A është kjo një strategji për të tërhequr linjat ajrore low cost?

Mund të konfirmoj që TIA shumë shpejt do të ulë tarifën e saj të pasagjerit nga 12,5 Euro për pasagjer në 10 Euro për pasagjer. Ne e konsiderojmë këtë veprim si një kontribut nga ana jonë për rimëkëmbjen e trafikut ajror. Gjithashtu mendojmë se kjo do të kontribuojë në një kosto më të ulët udhëtimi për pasagjerët, veçanërisht nëse do të arrijmë të sigurojmë më shumë konkurrencë midis linjave ajrore për destinacionet e rëndësishme.

 

Vitin e kaluar, Wizz Air njoftoi stacionimin e tre avionëve A320 në Tiranë. A ka ndodhur kjo dhe si e shihni zhvillimin e mëtejshëm të Wizz Air në vend?

Wizz Air padyshim ka pasur një fillim të mbarë këtu në TIA, me tre avionë të bazuar në vendqëndrimin tonë të avionëve. Për shkak të pandemisë, rritja e trafikut nuk ishte në nivelin e pritshmërive, por me 24% të trafikut “Wizz Air” tani është shoqëria më e fuqishme ajrore. Kjo tregon se segmenti “low cost” mund të jetë shumë i suksesshëm në të ardhmen. Gjithashtu kemi edhe “EasyJet”.  Krahas kësaj, dy linjat ajrore vendase, “Air Albania” dhe “Albawings” ofrojnë bileta të lira për në destinacionet italiane dhe më gjerë. Wizz Air do të vendosë këtë verë avionin e saj të 4-të, pasi Tirana është përgjedhur si baza e avionëve të tyre. Ky është një zhvillim i ri dhe shumë pozitiv.

 

Më shumë se 4 milion shqiptarë jetojnë jashtë vendit, mendoni se ka potencial për fluturime të ardhshme në destinacione të largëta nga Tirana?

Destinacionet e largëta shërbehen mjaft mirë nga TIA përmes qendrave të fuqishme ndërkombëtare. Sigurisht që ka potencial për të zhvilluar në të ardhmen së paku trafik me avionë charter gjatë muajve të verës nga TIA drejt SH.B.A.

 

Sa të kënaqur jeni me qendrat e fluturimeve tranzit të linjave ajrore kryesore të rrjetit, a shihni ndonjë Potencial?

TIA është aeroporti më i lidhur në rajon dhe jemi shumë krenarë për këtë. Ne ofrojmë fluturime, disa prej të cilave dy herë në ditë drejt qendrave ndërkombëtare të aviacionit me numrin më të madh të fluturimeve lidhëse, të tilla si: Vjena, Frankfurti, Stambolli, Roma, Beogradi, Athina, Londra duke u mundësuar udhëtarëve tanë një zgjedhje të gjerë në aspektin e kohës së udhëtimit, çmimit dhe destinacionit. Trafiku lidhës përbën gati 27% të trafikut tonë total.

Gjithashtu, fillimi i fluturimeve direkte nga TIA drejt Dubait me Flydubai do t’u ofrojë udhëtarëve tanë më shumë lidhje përmes qendrës ndërkombëtare të aviacionit të Dubait duke operuar tranzit me Kompaninë ajrore Emirates në 161 destinacione në të gjithë botën, kryesisht duke përfshirë Oqeanin Indian, Afrikën, Australinë, Indinë dhe Azinë.

 

Qeveria e Shqipërisë njoftoi disa ditë më parë se do të ndërtojë një aeroport të dytë ndërkombëtar në bregdetin e jugut të Shqipërisë pranë Vlorës. A prisni një rënie drastike të fluturimeve turistike në TIA sapo të hapet aeroporti?

Aeroporti i Vlorës do të jetë një destinacion turistik dhe shumica e udhëtarëve që vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit të verës, veçanërisht ata që zgjedhin Jugun, do të zgjedhin këtë aeroport. Kjo për ne është konkurrencë e drejtpërdrejtë, pasi gjatë sezonit veror kemi fluksin më të madh të udhëtarëve. Sidoqoftë, vlerësojmë se Shqipëria ka akoma potenciale të papërdorura në sektorin e aviacionit civil.

 

Me Albawings dhe Air Albania, Aeroporti i Tiranës ka dy "linja ajore vendase". Sa të rëndësishme janë këto dy linja ajrore për zhvillimin afatgjatë në vend?

. Pavarësisht faktit se Air Albania filloi operimet vetëm në mes të vitit 2019, kjo shoqëri ajore rezultoi e suksesshme jo vetëm si pjesa e parë e fluturimeve tranzite drejt Stambollit duke operuar tranzit me Turkish Airlines, por edhe në zhvillimin e tre destinacioneve të tjera drejt Tregut Italian, të cilat vazhduan edhe gjatë vitit të vështirë 2020. Albawings është një shoqëri ajrore shumë e konsoliduar, e cila kontribuon në TIA duke ofruar një numër të madh destinacionesh italiane. Duke qenë se Italia është tregu ynë kryesor, jemi shumë të lumtur për kontributin e Albawings duke operuar tranzit me kompaninë ajore Blu Panorama, duke mundësuar një rrjet shumë të besueshëm të shitjeve hyrëse.

Pavarësisht kufizimeve të shumta të udhëtimeve që ekzistojnë ende, TIA do të ketë një sezon veror pozitiv, duke filluar me nisjen e fluturimeve të Fly Dubai nga data 29 Mars dhe rikthimin e turistëve Izraelitë me Israir Airlines. Me kënaqësi mund të konfirmojmë ardhjen e turistëve nga Ukraina, si dhe operimin e Eurowings në tre destinacione nga Gjermania. Këtë sezon pritet një rikuperim i ndjeshëm në trafikun e avioneve charter, pasi në verë pjesa më e madhe e vendeve nga të cilat vijnë turistët procesi i vaksinimit do të ketë avancuar dhe do t'ju lejojë atyre një udhëtim më të sigurt.