FLUTURIMET

  • 03:15Sabiha Gokcen Intl. - PC 284
  • 04:05Belgrade / Beograd - JU 217
  • 04:25Vienna / Vjene - OS 850
  • 06:00Milan Malpensa - W6 6607
  • 06:05Pisa / Piza - W6 3853

Home > Kompania > Njoftime për shtyp

Memorandum e Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi midis TIA dhe AKMC

19.10.2020

Tiranë, 19 Tetor 2020 - Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile firmosën së fundmi Memorandumin e Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit “Për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore”. Memorandumi synon krijimin e kuadrit bashkëpunues për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, si dhe përcaktimin në mënyrë të qartë të të drejtave dhe detyrimeve konform Ligjit 45/2019, “Për Mbrojtjen Civile” në Republikën e Shqipërisë.

Memorandumi u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Z. Haki Çako dhe autoriteteve te menaxhimit të TIA-s, Dr. Constantin von Alvensleben, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Z. Volker Wendefeuer, Drejtor i Përgjithshëm i Operimeve.

“Sot është një ditë shumë e veçantë, sepse sot u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit dhe Mirëkuptimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimeve të Emergjencës të Qeverisë së Shqipërisë. Ky memorandum është shumë i rëndësishëm. Padyshim që të gjithë shpresojmë që të mos kemi raste të emergjencës dhe aksidente. Por në jetën e gjatë të një aeroporti gjithmonë mund të ndodhin situata të tilla dhe në këto raste kërkohen reagime të shpejta, efikase dhe profesionale. Ne jemi të kënaqur që kemi arritur një mirëkuptim të përbashkët dhe kjo do të jetë edhe baza e një bashkëpunimi të mirë”, tha Dr. Constantin von Alvensleben, Drejtor I Përgjithshëm Ekzekutiv i TIA-s.

“Kemi kohë qe kemi bashkëpunuar lidhur me modelimin dhe konkretizimin e këtij memorandumi i cili konsiston në një bashkëpunim të vazhduar midis Tirana International Airport dhe strukturave të Emergjencave Civile dhe të autoriteteve të tjera operacionale në Shqipëri, lidhur me parandalimin e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera dhe incidenteve. Më lejoni të falenderoj autoritetet e aeroportit për gatishmërinë, bashkëpunimin dhe ndjeshmërinë që kanë treguar në kontributet që ato po japin në rritje të kapaciteteve të strukturave operacionale të strukturave të mbrojtjes civile në Shqipëri”, tha Drejtori i Përgjithshëm I Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Z. Haki Çako.

Ndërsa Z. Volker Wendefeuer, Drejtor I Përgjithshëm i Operimeve të TIA-s, shtoi se “Një vit më parë filluam nga puna për këtë bashkëpunim dhe pas disa takimeve në lidhje me këtë çështje, sot u arrit edhe rezultati i bashkëpunimit tonë. Jam shumë pozitiv që ky bashkëpunim do të vazhdojë në të ardhmen dhe do të bëhet edhe më i fortë, pasi ne kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe kemi nevojë për mbështetjen e njëri-tjetrit”.

Pas nënshkrimit të këtij Memorandumi u zhvillua një ushtrim emergjence në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, me pjesmarrjen e strukturave operacionale të Forcave Ajrore, Policisë së Shtetit, të Departamentit të Shpëtimit e Shërbimit të Zjarrëfikëses dhe strukturave të menaxhimit aeroportual.